Bleta e Mjaltit apo Apis mellifera

Bleta është një mike dhe aleate e lashtë e njerëzimit. Specia e saj, Apis mellifera e ka origjinën në Egjipt. Që prej miliona vjetësh ajo është ndarë në disa nënspecie (rreth 20) që sot formojnë tre grupe të dalluara qartë nga njëri tjetri: dy grupe të Mesdheut, Lindor dhe Perëndimor dhe një grup i Afrikës tropikale. Bletët europjane kanë udhëtuar drejt Amerikës së Veriut bashkë me pelegrinët, duke filluar nga shekulli i 17°, ku janë përshtatur me sukses. E pasuksesshme ama ka qënë përshtatja e tyre në Amerikën tjetër, atë të Jugut.

Shoqëria matriarkale e bletëve është ndër më të admiruarat në botën e gjallesave. Kosherja banohet nga një ushtri me bletë punëtore, numri i të cilave shkon nga 40 mijë në 100 mijë individë, 500 deri në 2.000 meshkuj, që jetojnë nga Prilli në Korrik dhe shërbejnë vetëm për riprodhimin, si edhe vetëm një mbretëreshë, e vetmja në gjendje të riprodhohet. Format e secilës kategori janë lehtësisht të dallueshme nga njëra tjetra. Tek Bletari Kastrati ne kemi sot rreth 300 koshere, një pjesë e të cilave përdoren si çerdhe për bletët e reja.