Bletari Kastrati

Bletari Kastrati

Në Bletarinë Kastrati ne besojmë se s’ka ëmbëlsi më të madhe sesa buzëqeshja në fytyrën e fëmijëve e të dashurve tanë. Mendojmë se ndër gjithë vlerat e jetës, shëndeti është i vetmi që nuk ka rivalë. Jemi të bindur se çdo brez duhet ti dorëzojë pasardhësve të vet një mjedis e një të ardhme më të mirë se ajo që ka trashëguar.

Për këto arsye punojmë çdo ditë me përkushtim për të realizuar ushqime me shije superiore, natyrale e të shëndetshme, në bashkëpunim me bletët, miket dhe aleatet tona, pa të cilat pjesa më e madhe e kulturave bujqësore me të cilat ushqehemi do të zhdukeshin dhe planetit tonë do ti mbesnin vetëm pak vite jetë!

Bletët tona rriten në mënyrë natyrale, në mjedisin e bekuar të krahinës së Kastratit, mes brigjeve lindore të liqenit të Shkodrës dhe malësisë së Kelmendit. Bashkë me to, ne realizojmë me metoda artizanale, që i ruajnë të pandryshuara shijen, aromën dhe vlerat ushqyese, katër lloje të zgjedhura mjalti biologjik: sherebele, lavande, bjeshke dhe gështenje.

Kosheret tona prodhojnë gjithashtu edhe qumështin e bletës, polenin e propolisin, aleatët e mëdhenj të shëndetit tuaj. 

Bletaria – Pasion i trashëguar ndër breza

Bletaria Kastrati është një sipërmarrje artizanale tërësisht familjare, e zhvilluar ndër vite nga breza të përkushtuar bletërritësish të familjes Skaqaj.

E rrethuar nga natyra e pasur dhe e paprekur, bletaria ndodhet në lokalitetin Ivanaj të fshatit Bajzë, jo larg brigjeve lindore të Liqenit të Shkodrës, në krahinën e bukur të Kastratit.

Sot ajo drejtohet nga bletërritësi i apasionuar Landi Skaqaj, i mëkuar me dashurinë për bletët që në fëmijëri nga babai i tij, shumë prej miqve dhe klientëve historikë të të cilit janë ende sot blerës besnikë.

Landi ndihmohet në punën e tij të përditshme nga e shoqja dhe nga vajzat e rritura, të gjithë të përkushtuar ndaj bletëve, mikeve dhe aleateve të mëdha të njeriut dhe të natyrës.

Për tu njohur më mirë me të gjitha prodhimet e bletëve tona ju ftojmë të vizitoni faqet përkatëse.

Shijen ama nuk jua rrëfejmë dot, duhet të vini e ta provoni vetë!

Për vizita apo porosi mund të të na kontaktoni pranë Bletarisë Kastrati, online apo me telefon.

Ju mirëpresim!