Llojet e mjaltit në Shqipëri

Bletaria është një art i praktikuar në trojet shqiptare që në lashtësi. Një tekst i epokës antike kushtuar kurioziteteve të kohës, që i atribuohet shkollës aristotelike, në mos vetë Aristotelit të famshëm, i përmend Taulantët, mes Ilirëve, si prodhues të një lloj pijeje alkolike të ngjashme me verën, pikërisht nga mjalti. Teksti antik përshkruan edhe proçedurën e saktë të prodhimit të kësaj pijeje të ëmbël e të fortë me karakteristikat e verës, e cila thuhet se prodhohej më herët edhe nga vetë grekët, të cilët e kishin harruar ndërkaq traditën e hershme.

Sot bletaria është veprimtari e praktikuar nga mijëra familje dhe sipërmarrje të vogla në të gjithë Shqipërinë. Karakteristikat e territorit shqiptar, ku rriten një numër mjaft i lartë bimësh nga më të ndryshmet janë shumë të favorshme për prodhimin e luleve dhe si rrjedhojë edhe të mjaltit.

Mjalti shqiptar mblidhet nga fillimi i pranverës deri në vjeshtë, sipas rajoneve. Llojet e mjaltit që prodhohen janë me të vërtetë të shumta dhe ndryshojnë nga njëra zonë gjeografike në tjetrën. Disa lloje mjalti karakterizohen nga aroma dhe shija e fortë e tokës apo e pyjeve, të tjerë shfaqin aromat dhe shijet më të buta e delikate të luleve.

Në Shqipëri por edhe jashtë vendit, mjalti i gështenjës cilësohet një ndër llojet më cilësore. Zonat më të vlerësuara të prodhimit të tij janë Tropoja dhe pyjet e famshme të gështenjave në Reç, fare pranë Bletarisë Kastrati. Mjalti i bimëve mjekësore dhe aromatike ndërkaq është ndër më të preferuarit për vetitë kuruese. Rajoni kryesor i prodhimit të tij është sërisht Malësia e Madhe, ku ndodhemi edhe ne. Zgjedhja e parë e konsumatorit, për aromë dhe për shije, mbetet mjalti shumëlulësh i bjeshkëve, një varitetet shumë të pëlqyer të të cilit e prodhojmë edhe ne. 

Shija e mjaltit përcaktohet nga poleni, i mbledhur lule më lule nga bletët dhe nga propolisi, i përdorur nga kolonitë e bletëve si mur mbrojtës apo rrethues i zgjojeve e koshereve të tyre nga ndikimet e jashtme.  Rol të madh në aromën dhe shijen e mjaltit, të të gjitha llojeve, luan natyrisht edhe veprimtaria e njeriut. Kur mjedisi ku rriten e ku kullosin bletët është i pastër, kur bletërritësit respektojnë cilësinë e prodhimit dhe përdorin vetëm teknika natyrale, atherë jo vetëm vetitë ushqyese dhe shëruese të mjaltit mbeten të paprekura, por edhe aroma e shija e tij janë të plota dhe mbresëlënëse.