Kosherja

Koshere quajmë shtëpitë artificiale të bletëve të zbutura të species Apis mellifera. Të ndërtuara nga njeriu sipas modelit të zgjojeve që bletët i ndërtojnë të lira në natyra, kosheret u shërbejnë bletëve për të formuar huallin.

Kosheret mund të jenë të llojit primitiv, të ndërtuara p.sh. në zgavra pemësh apo shporta, brenda të cilave bletët krijojnë panele prej dylli sipas logjikës së tyre. Ose të llojit më të zhvilluar, që përdoret sot në bletarinë profesionale, me korniza të lëvizshme që formojnë një kuti, brenda së cilës ndodhen disa telajo druri gjithashtu të lëvizshme, që mundësojnë përdorimin pa dëmtuar çerdhet.

Kur gëzojnë shëndet të plotë, kolonitë e bletëve mund të arrijnë pa frikë në 90 mijë individë, kryesisht bletë punëtore (ato që njohim dhe shikojmë më shumë), disa qindra meshkuj në periudhën e riprodhimit dhe vetëm një mbretëreshë.

Për të krijuar një koloni të re, mbretëresha më e madhe në moshë largohet nga zgjoi duke marrë me vete një numër bletësh punëtore dhe lë pas një mbretëreshë të re, që drejton bletët e mbetura.